Të falemnderit, Zana!
Më kujtohet salla e madhe
e pështjellë nga muzgu.
Ish ditë e dritë nuk kishte.
Ndreq syzet e çirret
biri i derrshitësit nga Durrësi,
Helm derdh nga goja
e bija stërdhëmçe
e saraçit të Tiranës.
Zuska në krye të mbledhjes
me surratverdhin e Tropojës
dhe labin që përgjon në majë të gishtave.
Mikrot ulurasin për vigjilencën,
partinë, popullin, armiqtë!
Më kujtohe ti, Zana, e heshtur,
dhe shokët e tu që më dërgonin pusulla
për të më thënë se më ndodheshit pranë...
Më kujtohen sytë e tu bojëqielli,
të stërmadhuar e të përskuqur
që m'i drejtoje me dhëmshuri,
sikur të më thoje: duroji çakejt!
Më dhe zemër kur u thashë zuzarëve:
"Po më hidhni baltë,
po më poshtëroni.
Por unë prapë do të ngrihem,
Dhe atëherë do t'u vijë turp
kur të më vështroni!"
Të falemnderit, Zana,
më dhe siguri e zemër
kur deshën të më shqyenin çakejt.
Ti me shokët e tu
ishit një grusht njerëzish
midis një lukunie bishash të zeza!
New York, 1994